Një 38-vjeçar bullgar dhe rezident në Angli u vu në pranga nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës.
Kjo pasi gjatë kontrollit në automjet iu gjet e fshehur sasi kokaine dhe cannabis sativa. Policia ka sekuestruar lëndën narkotike, raporton A2CNN.
Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi Policia e Shtetit Shqipëtar.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin bullgar I. G. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dhe sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin bullgar I. G., 38 vjeç, rezident në Angli”, njofton Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Indeksonline/