Fshati me emrin karakteristik Gjylekar, kjo është historia e tij

Fshati me emrin karakteristik Gjylekar që tani i është vu emri Skifteraj, gjendet 9 kilometra larg komunës së Vitisë. Pavarësisht emërtimit të ri tash e 24 vjet, shumica vazhdojnë ta njohin me emrin e vjetër Gjylekar. Sipas Aferdita Sadikut, banore e këtij fshati, emri Gjylekar nuk tingëllon mirë për arsye siç ka thënë ajo, njerëzit tjerë që nuk janë nga ai fshat nuk e dinë historinë dhe domethënien e këtij emri.

“Emri i fshatit Gjylekar thuhet nga historianët që ka dy kuptime. Vendi i Shqiponjave dhe vend trimash por tek njerëzit e tjerë jashtë fshatit tonë tingëllon keq sepse nuk e dinë domethënien e emrit. Unë si një vendase nuk jam ndjerë keq asnjëherë për emrin e fshatit tim”, është shprehur ajo.

Çfarë e karakterizon këtë fshat dhe si ju ndërrua emri nga Gjylekar në Skifteraj?

Për historinë e fshatit Gjylekar, ka folur profesori i historisë, njëherit edhe banor i këtij fshati, Besim Haliti.

Sipas Halitit, fshati Gjylekar daton që nga mesjeta.

“Fshati Gjylekar (tash Skifteraj) daton që nga mesjeta, së paku në burimet e shkruara ku e gjejmë në Defterin e Vilajetit Vllek dhe në atë të Sanxhakut të Novobërdes 1455 me emrin Gjerekar, ku mungon tingulli ‘L’ dhe si toponim i dytë i përmendur aty është toponimi Rahorika. Këto të dhëna na dalin nga punimi i Adem Hanxhiç e të cilat i sjell në mënyrë shumë të përmbledhur edhe studiuesi nga ky fshat Esat Kamberi në monografinë “Morava e Epërme ndër shekuj”, ka thënë Haliti.

Lidhur me origjinën e emrit, Haliti ka thënë se ka disa mendime të ndryshme, ku supozohet që emri “Gjylekar” rrjedh nga fjala greke “Gerekar” që ka kuptimin Gjeraqinë apo skifter, dhe mendime të tjera që thuhet se emri vie nga osmanishtja që ka kuptimin e “Luleborës”.

“E para hipotezë është se emri i vjetër i fshatit Gjerekar, siç na del ne burimet e kohës disa prej të cilave i cekem më lart vie nga fjala greke “Gerekar” “Geraki” që ka kuptimin: Gjeraqine (skifter). Kur jemi te ky emër, unë mendoj se edhe fjala Geraki ka etimologji nga latinishtja e vjetër nga fjala “Gjerka” që lidhet me këtë zog grabitqar i cili në stinën e dimrit është shumë prezent në fshat edhe në ditët e sotme”

“Një hipotezë tjetër rreth prejardhjes së fshatit është se ky emër “Gjylekar” vie nga osmanishtja përkatësisht persishtja e vjetër, ku kjo fjalë ka kuptimin e “luleborës” dua ta ceki me këtë rast një fjalor të vjetër të cilin e kishte nxjerr nga një bibliotekë e njohur në SHBA, bashkëfshatari im Hashim Rexhepi dhe ku kjo fjalë e kishte këtë kuptim, sado që unë jam i prirur ti besoj hipotezës së parë edhe ky fakt nuk mund të përjashtohet”, tha ai.

Profesori i historisë, Besim Haliti ka potencuar se fshati Gjylekar është i banuar me vendas dhe disa banorë që kanë ardhur në kohën e spastritmit etnik gjatë viteve 1877-1878.

“Fshati Gjylekar është i banuar me banorë vendas me përjashtim të disa shtëpive të lagjes së muhaxhirëve të cilët kanë ardhur në fshat në vitet e spastrimit etnik të pjesës verilindore të Vilajetit të Kosovës nga Serbia në dimrin e viteve 1877-78 dhe të cilët janë akomoduar në këtë fshat dhe prej asaj dite janë konsideruar si vëllezër duke e ruajtur këtë traditë edhe në ditët e sotme. Fshati ka luajtur një rol potent në ngjarjet ekonomike e politike në të gjitha kohërat, të cilin vazhdon ta luaj edhe sot”, ka thënë Haliti.

“Emri Gjylekar ka rrënjë të thella historike pavarësisht paragjykimeve të njerëzve”

Ai tutje ka theksuar se krahas emrit te ri ka vazhduar të përdoret edhe emri i vjetër për fshatin i cili sipas tij, asnjëherë nuk u harrua nga banorët.

“Emërtimi i ri i fshatit është bërë pas lufte, asokohe unë kam qenë student dhe nuk kam mundur të jap kontributin tim si banor e as si profesionist i fushës mirëpo emri i ri i fshatit është bazuar te emri i vjetër (Gjeraqinë, Skifter) dhe është bërë një zgjedhje e duhur, por vlen të theksohet se krahas emrit të ri ka vazhduar të përdoret edhe emri i vjetër për fshatin i cili asnjëherë nuk u zbeh e as nuk u harrua nga banorët, mbase një emër që është përdorur për mijëra vjeçar nuk harrohet lehtë”, ka deklaruar ai për Front Online.

“Nxjerrja dhe punimi i gurëve për ndërtim dhe punimi i tokës janë disa nga veçoritë që e karakterizojnë fshatin Gjylekar”, ka thënë Haliti.

Tutje Haliti ka thënë se Fshati Gjylekar sa i përket veprimtarisë bujqësore po e furnizon gjithë Anamoravën, duke shtuar se kjo veprimtari është modernizuar shumë pas luftës.

“Sa i përket veprimtarisë bujqësore fshati Gjylekar mund të themi se është hambari i Moravës së Epërme ngase këtu toka punohet deri në centimetrat e fundit dhe pas lufte me iniciativat e familjeve dhe me përkrahjen institucionale kjo veprimtari është modernizuar krahas kërkesave dhe zhvillimit të kësaj dege ekonomike, duke bërë që ky fshat të njihet për furnizimin me produkte bujqësore jo vetëm në Kosovë por edhe Shqipëri siç është rasti me furnizimet me patate”, ka thënë ai.

Fshati Gjylekar ka një Shtëpi shëndeti, dy Xhami dhe një Shkollë fillore të mesme të ulët.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d