Një 18-vjecare është përjashtuar nga shkolla “Bedri Pejani”, në Pejë, për shkak të bartjes së shamisë.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi, sot ka akuzuar drejtorin e shkollës, Musa Nikqi, ndërsa ka kërkuar edhe shfuqizimin e udhëzimit administrative që ndalon uniformën fetare në shkolla.
Ndërsa, drejtori i shkollës, “Bedri Pejani”, Musa Nikqi, në një intervistë dhënë për IndeksOnline, ka thënë se 18-vjeçarja nuk është përjashtuar nga shkolla, por ka vendosur vetë që të largohet.
Sipas drejtorit, asaj i është kumtuar lajmi që ligji dhe udhëzimi e parasheh që nuk lejohet bartja e shamisë fetare nëpër shkolla, transmeton IndeksOnline.
“Nuk është përjashtuar, është larguar vetë, sepse i kemi thanë që nuk ka mundësi me ardh me mbulesë në shkollë, i thamë largoje e hajde prapë vazhdoje procesin mësimor, sepse kështu e parasheh ligji e udhëzimi, por ka qenë vendimi i saj largimi nga shkolla”, ka thënë Nikqi.
Drejtori Nikqi tha se e ka paralajmëruar vajzën se nuk ka mundësi që të vazhdojë procesin mësimor me shami ende pa e vendosur, por që ajo nuk e ka dëgjuar.
“Unë e kam njoftuar paraprakisht, në fund vit të klasës së 11-të, ka ardhur më ka pyet, tha a ka mundësi me ardh me shami, i thash jo nuk ka, kështu e parasheh udhëzimi. Ajo ka vendos me u mbulu tash ligji nuk e lejon..”, tha ai.
“Mem ndëgju mu i thash shkon e hjek e vjen në shkollë, në të kundërtën kemi mundësi të vazhdojmë edhe mësimin alternativ, është në klasën e 12, është vajzë e urt e sjellshme”, theksojë Nikqi për IndeksOnline.
Drejtori tha se prindërit e vajzës ka qenë të njoftuar, por që sipas tij 18-vjeçarja nuk i ka dëgjuar as prindërit edhe pse ata ka qenë kundër.
“Po ka pas reagim nga prindërit, njëherë më thanë që nuk është ka më dëgjon, tani kur e ka vendosë, nëna ka thënë që e ka vendos dhe nuk e hjek më. Në fillim ka qenë kundër, por edhe tash më duket është kundër..”, bëri të ditur drejtori i shkollës.
Nikqi gjithashtu shtoi se vajza mund të vijë në shkollë dhe të vazhdojë mësimin, me program alternativ por tha më mirë është ta largojë shaminë dhe të jetë e barabartë më të gjithë nxënësit.
“Vajza nesër mundët me ardh në shkollë i bëjmë një program shtesë dhe ja bëjmë kompensimin e orëve nuk është problem, por mirë është më hjek ajo shaminë e me ardh në shkollë me qenë e barabartë me të gjithë nxënësit”, përfundoj drejtori Nikqi./IndeksOnline/