Fjalët e huaja po dëmtojnë gjuhën shqipe, Pedagogu Rrokaj: Po bëhen mësues maturantë me notën 6

 

 

Gjuhëtarët kanë shprehur shqetësimin për dëmtimin e gjuhës shqipe në dekadat e fundit.

Një prej shkaqeve është teknologjia, por përgjegjësi i Departamentit të Gjuhës Shqipe në fakultetin Histori Filologji Shezai Rrokaj ia atribuon më së shumti këtë dukuri, maturantëve me nivel të dobët që bëhen mësues. Për pasurimin e gjuhës shqipe, po hartohet një fjalor me rreth 120 mijë fjalë.

Rrokaj shprehet se trysnia e madhe e fjalëve të huaja tregon se shqipja ke nevojë për to.

Kur trysnia e fjalëve të huaja është më e madhe se nevoja që ka gjuha shqipe për to, kur ato përdoren vend e pa vend patjetër që e dëmtojnë gjuhën. Sigurisht ndikon edhe shkolla sepse një shkollim i mirë, me mësues të mirë, një zotërim i mirë i gjuhës amtare është një imunitet amnor i cili shërben si një ndalesë e depërtimit vend e pa vend të fjalëve të huaja”.

Vetë të rinjtë e pranojnë ndikimin e teknologjisë te gjuha shqipe. Shumë e kanë thuajse të pamundur t’i shmangin fjalët e huaja, zhargonet apo shkurtimet.

“Nga rrjetet sociale dhe teknologjia ka pasur një deformim apo ndryshim, më e thjeshtë të flasësh me shkurtime, megjithatë nuk është justifikim për të përdorur fjalë të huaja”.

“Teknologjia po shkatërron krejt rininë, jo vetëm gjuhën shqipe”.

“Mendoj se po deformohet në mënyrë të tmerrshme,” shprehen disa qytetarë.

Shezai Rrokaj shton se kjo dukuri shqetësuese e ka zanafillën që në pranimet në degët e mësuesisë në universitete. si zgjidhje, ai sheh vlerësimin financiar të mësuesve.

“Problemi më i madh dhe më i rëndësishëm i shkollës, jo vetëm për mësuesit e gjuhës shqipe, por për mësuesinë në përgjithësi, është se të interesuar janë maturantët më të dobët. Çfarë mësuesie presim ne kur atë e zgjedhin një brum i maturantëve më të dobët, nga nota 6 te nota 8.5. Ne duhet ta bëjmë të mirëpagueshëm profesionin e mësuesit që të na vijnë maturantët më të mirë”.

Rrokaj është pjesë e grupit të punës për krijimin e një fjalori të ri me rreth 120 mijë që pas 4 viteve punë intensive, pritet të botohet në vitin 2025.

“Është një sipërmarrje shumë e madhe, ku pretendohet të trefishohet më së paku fjalësi ekzistues në fjalorin ekzistues nga 40.000, në 100-120 mijë fjalë. Do të ketë një përbërje të rëndësishme nga gegnishtja, rreth 20-25 mijë fjalë, rreth 10 mijë fjalë nga teknologjia, nga fushat shkencore dhe ka një gjithëpërfshirje, 2500 fjalë nga arbërishtja për të cilën janë ngritur grupe të veçanta të cilat po punojnë”./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d