Gazeta raportoi sot për një rast të mashtrimit, ku dy persona dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm mbi 50 mijë euro, me premtime të rrejshme për investime në kriptovaluta. Personi që ra pre e të dyshuarve e ka denoncuar rastin dhe si rezultat njëri prej tyre tashmë është arrestuar. Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
I dyshuari që ra në prangat e Policisë dyshohet se në bashkëkryerje me një person tjetër e kanë mashtruar viktimën, duke e shtyrë që të investojë në kripto. Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se i arrestuari është Fatlum Ramabaja, ndërsa i dyshuari që ndodhet në arrati ëhstë emër i njohur për organet e rendit.
I njohur për mashtrime me kripto, Fitim Cakolli, qe një kohë të gjatë është arratisur, përkundër që ndaj tij ka pasur denoncime të vazhdueshme – për çka gazeta ka raportuar
Lidhur me rastin e fundit, si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe kanë arritur që ta arrestojnë Ramabajën, një 34-vjeçar nga Kamenica.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.
Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet ose në çfarëdo mënyre tjetër mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, “e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë e nxit një person që të kryej apo të mos kryej një veprim, i cili rezulton në dëm material të pasurisë së tij/saj apo të pasurisë së personit tjetër ose rezulton në dobi pasurore të kundërligjshme, për veten apo personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.”
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.