FIFA ka publikuar sot (e enjte), 4 prill, ranglistën e përditësuar të ekipeve kombëtare, ku Kosova nuk ka lëvizur nga pozita e muajit të kaluar, ndërsa Shqipëria ka rënë për dy vende.
Pas ndeshjeve të muajit mars, FIFA ka përditësuar ranglistën e tyre, me Argjentinën që vazhdon të mbetet e para, e pasuar nga Franca e dyta me Belgjika e treta. Në pozitën e katërt renditet Anglia, në të pestën Brazili, Portugalia e gjashta, Holanda e shtata, Spanja e teta, Italia e nënta dhe Kroacia që mbyll top dhjetëshen.
Por, si qëndron Përfaqësuesja e Kosovës në ranglistën e përditësuar të FIFA-s? Dardanët kanë luajtur dy ndeshje miqësore në muajin e kaluar, pasi më 22 mars kanë fituar 1-0 kundër Armenisë dhe më 26 mars u mposhten 2-0 nga Hungaria.
Pas këtyre dy rezultateve, Kosova nuk ka lëvizur nga pozita e 102-të me 1205 pikë të tubuara.
Për dallim nga Kosova, Shqipëria ka rënë për dy pozita. Kuqezinjtë ishin në pozitën e 64-të muajin e kaluar dhe tani renditet në pozitën e 66-të me 1375 pikë.
Gjatë muajit mars, Shqipëria humbi dy ndeshjet miqësore. Fillimisht u mposht 3-0 nga Kili, ndërsa Suedia e mundi me rezultat 1-0. /Prishtina Sot/