FFK ankohet zyrtarisht në UEFA kundër thirrjeve shoviniste të tifozëve serbë në EURO

 

 

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar që ka dërguar ankesë zyrtare në UEFA pas thirrjeve shoviniste të tifozëve serbë në EURO 2024.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se ka reaguar zyrtarisht në UEFA për shkak të shfaqjes së flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës, gjatë ndeshjes Serbi – Angli, në kuadër të Euro 2024”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhështor si Euro 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjve të saj. FFK në ankesën e paraqitur me dëshmitë e nevojshme në UEFA, ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, si recidiviste e rasteve të tilla”.

FFK-ja ka kërkuar që organizatori të evitojë shfaqjen e banderolave të tilla në ndeshjet tjera pasi të tillat përbëjnë shkelje.

“Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit. Federata e Futbollit të Kosovës qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave të futbollit dhe promovimit të asaj që UEFA përfaqëson: unitet, gjithpërfshirje dhe pasion për lojën e futbollit, por njëherësh me vendosmëri mbron edhe dinjitetin e shtetit, që është krijuar me shumë mund e sakrificë”.

“I bëjmë thirrje UEFA-së që persona me sjellje dhe filozofi të urrejtjes ndaj një populli dhe shteti tjetër të mos kenë vend në arenat e futbollit. Futbolli dhe eventet e tilla si Euro 2024 nuk duhet t’u shërbejnë shovinistëve e racistëve për promovim të gjuhës së urrejtjes”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d