Faton Hajrizi, një i arratisur nga burgu vazhdon të shfaqet vazhdimisht në rrjete sociale, duke u bërë një nga personat më të kërkuar dhe më të diskutuar në vend.
Historia e tij nisi që në vitin 2000 me vrasjen e një ushtari rus, veprimtaritë tjera kriminale e arratisjet e shpeshta nga burgjet në Kosovë. Tash, së fundi ai u arratis nga burgu i Smrekonicës më 6 korik dhe që nga ajo ditë ai ka përdorur mediat sociale si një platformë për të shpërndarë mesazhe dhe për të komunikuar me publikun.
Të mërkurën ai ka postuar një video në “TikTok” ku shihet gjysmë i zhveshur, derisa i bën disa akrobacione fizike.
Autoritetet janë në një garë kundër kohës për të kapur atë, ndërkohë që ai vazhdon të mbajë veten në qendër të vëmendjes.
“Kapja e Faton Hajrizit, është çështje orësh apo ditësh”, kishte deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
E shpejt ishte përgjigja e Hajrizit pas kësaj deklarate të ministrit.
Hajrizi e ka quajtur Sveçlën “Ministër i punëve të kota”, derisa tha se s’mund ta kap kurrë.
“E pyes Sveçlën, i them se kur ke qenë i vogël a ke punuar në furrë a çka është puna se i ke disa orë të furraxhisë. Nuk mund të më kapësh ti mua. Kurrë s’mund të më kapësh o ministër i punëve të kota”, thotë Hajrizi në një video.
Sipas Hajrizit, ata që do ta kapnin atë “janë në Hagë”.
“Ata të cilët më kishin kapur dhe me marrëveshje, janë në Hagë atje që ua kisha dëgjuar hatrin, jo lepurushët e Vetëvendosjes. Ju njohim mirë kush jeni. Nuk jeni ju që e kapni askënd, hiç”, tha Hajrizi.