Faton Hajrizi gallatë me shtetin në TikTok, 1 javë nga deklarata e Sveçlës se arrestimi i tij është çështje orësh

 

 

Faton Hajrizi – njeriu që u arratis për herën e nëntë nga burgjet e Kosovës i shpallur tashmë në kërkim nga Policia ka filluar të shfaqet jo rrallëherë, përmes rrjeteve sociale. Bashkë edhe me persona të tjerë që janë të futur në telashe me shtetin, Hajrizi s’po i ndalë deklaratat e tij të vazhdueshme edhe ndaj organeve të rendit. Shteti s’ka arritur ta lokalizojë vendndodhjen e tij, edhe pse dje janë bërë 1 javë nga deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se arrestimi i tij është çështje orësh apo ditësh, raporton Sinjali.

Të shtunën e kaluar u bë 1 javë nga ikja e Hajrizit dhe akoma i njëjti ndodhet në arrati – teksa po e vazhdon gallatën në rrjete sociale.

Hajrizi i çoi mesazh para disa ditësh Sveçlës duke i thënë se “nuk jeni ju që e kapni askënd, hiç”, dhe se sipas tij, të vetmit që mund ta kapnin atë, janë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

““E pyes Sveçlën, i them se kur ke qenë i vogël a ke punu në furrë a çka osht puna se i kishe do orë të furraxhisë. Nuk mun um kap ti mu, kurrë s’un um kap, o ministër i punëve të kota. Ata të cilët um kishin kap, edhe me marrëveshje, jonë në Hagë atje, që ua kisha ngu hatrin, jo lepurushat e Vetëvendosjes. Ju njohim mirë kush jeni. Sa për ty, vi midis Prishtinës dhe s’guxon me m’dalë hiç, po i shtin qata burra Njësi Speciale jau then krytë e në fund ti rrin në kollare, se ti vet edhe 100 herë me u klonu ti s’munesh me m’kap mu – se s’guxon me mu afru ti mu. Ky është mesazhi që ta jap unë ty, Xhelal Sveçla, a çfarë mbiemri falë e ki, mbiemër koti”, tha Hajrizi.

“Çështje orësh” – tha Sveçla më 8 korrik në një konferencë për media në Qafë Morinë, ku paralajmëronte se kapja e Faton Hajrizit do të ndodhë shumë shpejt.

“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë… Policia po punon. Unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultatet e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë, por duke parë efikasitetin e policisë është çështje orësh apo ditësh”, tha Sveçla më 8 korrik, raporton Sinjali.

Si në ikjet e tij spektakolare të mëhershme, Hajrizi ishte i përgatitur për t’u larguar nga burgu pa u kapur nga oficerët. Ai u arratis për të nëntën herë nga burgu, pak pas orës 1 pas mesnatës të datës 06 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d