Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të mbajë takim sot me presidenten Vjosa Osmani.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Zyra e Presidentes me anë të një njoftimi për media.
Sipas njoftimit, takimi do të zhvillohet nga ora 10:00 dhe do të ketë deklaratë për media.
“Në orën 10:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar. Mediat fillimisht do të marrin pamje nga takimi, ndërkaq pas takimit do te ketë deklaratë për media”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Escobar pritet të diskutojë lidhur me dialogun dhe çështjen e dinarit.
Ai e ka konfirmuar se SHBA-ja ka probleme komunikimi me kryeministrin Albin Kurti dhe thotë se ky është problem që Kosova e ka edhe me BE-në, NATO-n, dhe madje edhe shtetet fqinje.
“Kemi problem në komunikim me qeverinë e kryeministrit Kurti. Dhe nuk është që vetëm ne kemi këtë problem, Kosova ka probleme komunikimi edhe me BE-në, NATO-n dhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Do të donim që partneriteti të kthehej siç ka qenë më parë”, ka thënë ai.