Ende nuk është shuar tërësisht zjarri në Drenas, deklarohet Lladrovci: Sot presim të përfundojë shuarja e plotë e zjarrit në fabrikën e plastikës

 

 

Gjatë ditës së djeshme, fabrika e plastikës në Parkun e Biznesit në Drenas është përfshirë nga zjarri.

E zjarri po vazhdon edhe sot por me intensitete të vogël. Kështu ka bërë të ditur kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Sot, presim të përfundojë shuarja e plotë e zjarrit, pas punës intensive të zjarrfikësve të komunës së Drenasit, ndihma nga Malisheva, Skenderaj, Prishtina, Lipjani, Rahoveci, si dhe Njësia Speciale e Kosovës dhe KFOR-i. Është djegur Fabrika e Plastikës, me dëme të mëdha për kompaninë, njëherësh është katastrofë ambientale. Falënderoj personat dhe kompanitë, po ashtu edhe mediat të cilat u gjenden pranë zjarrfikësve tanë për të zvogëluar dëmet si dhe raportuan nga vendi i ngjarjes. Shpreh falënderim të veçantë për kompaninë ‘Trasing’ që arriti e para me mjet të madh dhe ka penguar përhapjen e vatrës së zjarrit”, ka thënë Lladrovci.

Lladrovci ka premtuar ndihmë me mundësitë buxhetore që i ka komuna.

“Ende nuk kemi asnjë informatë nga institucionet që merren me vlerësimin e dëmeve, por, ato duken të konsiderueshme dhe shprehim keqardhje për këtë katastrofë. Buxheti i komunës për rastet e emergjencave është i kufizuar, megjithatë, ditëve në vijim, do të shohim mundësitë, natyrën e ndihmës dhe çfarë ndihme mund të ofrojmë”, u shpreh Lladrovci, duke thënë se nuk kanë shumë informacione për shkaktarin e këtij zjarri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d