Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët e organeve të rendit ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë motivet lidhen me pakënaqësitë lidhur me punën e tyre apo edhe konflikte të tjera. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Prishtinë dhe këtë herë cak i sulmit ka qenë një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se oficeri korrektues është sulmuar nga tre persona, për motive akoma të panjohura – të cilët ia kanë zënë pritën në rrugën “Ahmet Krasniqi”.
Në bazë të informacioneve të para, viktima është përballur fillimisht me një grua, e cila ka arritur që ta ndalojë atë dhe i ka njoftuar të dyshuarit e tjerë për të ‘intervenuar’ dhe për ta rrahur siç kishin planifikuar. Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njëri nga të dyshuarit e kishte njohur viktimën në Burgun e Sigurisë së Lartë, ku ai dyshohet se ka qenë duke vuajtur dënimin për një rast të mëhershëm.
Si pasojë e sulmit, zyrtari korrektues ka pësuar lëndime trupore, për çka ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa Policia ka arritur t’i identifikojë të dyshuarit.
Të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme.