Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët dyshohen për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Deri te rekomandimi për suspendimin e tre policëve ka ardhur pasi dyshohet se ata kanë rrahur një 15-vjeçar në Palestrën e Sporteve në Drenas. Gazeta merr vesh se polici i tretë i suspenduar është: Nexhat Doberdelani.
Më herë Gazeta raportoi ekskluzivisht edhe për emrat e dy policëve tjerë të suspenduar e që janë: Burim Halilaj dhe Miftar Qorri.
“Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 10.06.2024 në Drenas rreth orës 20:00 në një ndeshje në palestrën sportive ku pas përfundimit të saj zyrtarët policor kishin arrestuar një të dyshuar”.
“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë dhënë rekomandimin për suspendim nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët janë të dyshuar për veprën penale ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’”, thuhet në njoftimin e IPK-së, transmeton.
Më tej, IPK-ja tha se veprimet e mëtutjeshme hetimore në lidhje me rastin do të vazhdojnë nga hetuesit e Inspektoratit në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.