Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese, e jo vetëm. E, hajnat si duket nuk po i kursejnë as zyrtarët e institucioneve publike, përfshirë ata të institucioneve të drejtësisë si gjyqtarë e prokurorë.
Cak i hajnave ishte shtëpia edhe shtëpia e gjyqtarit në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Agim Kuçi..
Burimet bëjnë me dije se mbrëmë Policia ka intervenuar në lagjen Veternik të Prishtinës, ku një person kishte mësyrë shtëpinë e Kuçit për të kryer vjedhje. Zyrtarët policorë kanë arritur që ta kapin të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim nga organet e hetuesisë.
Gjatë kontrollit, tek i dyshuari janë gjetur disa mjete shpërthyese si shok-bomba, fishekë të armës, mjete të mprehta, por edhe dokumente zyrtare të cilat dyshohet se i kishte vjedhur në shtëpinë e gjyqtarit Kuçi.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Ështe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer vjedhje në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në çantën e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar disa fishekë, disa shok bomba, dokumente, kartela bankare, monedha, thikë, brisk dhe disa shishe të alkoolit. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të Policisë.
Sinjali ka provuar që të kontaktojë edhe me gjyqtarin Kuçi, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë e as në mesazhe.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin./Telenews/