Një zyrtar policor është suspenduar nën dyshimet për përfshirje në një përleshje fizike, të martën te pompa e derivateve ‘HIB’ në Graçanicë. Polici, bashkë me disa persona të tjerë janë futur në sherr dhe për pasojë tashmë janë cak i hetimit.
Siç merr vesh gazeta, zyrtari policor dhe tre persona të tjerë kanë pasur një konflikt që nisi pas një mosmarrëveshje në komunikacion dhe eskaloi në rrahje.
Polici i dyshuar është një 21-vjeçar, i cili tashmë është suspenduar për 72 orë.
Burimet kanë bërë me dije se zyrtari i suspenduar ka qenë jashtë detyrës zyrtare në momentin kur plasi sherri.
Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i shoqëruar të dyshuarit e tjerë në stacion, ndërsa është vënë në dijeni edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti, ndërsa janë siguruar edhe prova që dëshmojnë përfshirjen e të dyshuarve në këtë rast.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.