Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës i cili ndodhej në arrati pas plagosjes me armë ndaj një personi në fillim të muajit mars, ka vendosur t’i dorëzohet shtetit, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Ai është dorëzuar ditën e djeshme dhe ndaj tij Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë. Incidenti kishte ndodhur më 4 mars në Prishtinë, ku kishte mbetur i plagosur një person, teksa dyshohej se i parapriu një konflikt verbal mes të dyshuarve dhe viktimës.
Gazeta kishte raportuar ekskluzivisht se personi që u plagos me armë zjarri ishte Pajtim Gashi, i cili dyshohet se fillimisht ishte sulmuar në kokë e pastaj është qëlluar me armë në këmbë.
Gashi – sipas sinjalizuesve të Sinjalit ishte anëtar i familjes së njohur si “Capat”.
Gjithashtu Gazeta kishte mësuar ekskluzivisht se njëri nga personat e përfshirë në plagosjen e Pajtim Gashit është Shkumbim Sekiraqa rreth 20 vjeçar, djali i Salih Sekiraqës.
Ky i fundit është një nga emrat e njohur për organet e rendit, për shkak të të kaluarës së tij kriminale. Herën e fundit ishte arrestuar nëntorin e vitit të kaluar për armëmbajtje pa leje.