Ekskluzive: Ky është personi që e rrëmbeu të miturin shqiptar në Preshevë, shkak borxhi prej 100 mijë eurove

 

 

Borxhet prej qindra e mijëra eurove shumë shpesh kanë shkaktuar incidente dhe kanë eskaluar në sulme e kërcënime serioze – madje edhe në rrëmbim. Një rast i tillë dhe mjaft i tmerrshëm i ndodhi një familjeje shqiptare në Preshevë, ku dikush ua kidnapoi djalin e mitur. Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ky rast që po hetohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Mosmarrëveshja për borxhin që kap vlerën e një shume të majme parash mes familjes Shabani në Preshevë dhe të dyshuarit nga Gjilani u zbulua se është motiv i rrëmbimit.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që është cak i autoriteteve për këtë rast është Adnan Cani (37-vjeçar) – i njohur me nofkën “Amigo”.

Cani, i cili është nga Llashtica e Gjilanit, pronar i lokalit “Amigo” në këtë fshat, po dyshohet se e ka rrëmbyer djalin 17-vjeçar të familjes Shabani në Preshevë, pasditen e së shtunës.

Burimet e Sinjalit kanë dhënë detaje ekskluzive që zbulojnë se borxhi që i ka futur në sherr palët lidhet me shitjen e një sasie të drogës nga ana e të dyshuarit.

Bazuar në informacionet e para që i posedon Sinjali, i dyshuari “Amigo” ia ka dërguar vëllait të viktimës rreth 40 kilogramë drogë – për të cilat ka kërkuar hiç më pak se 100 mijë euro.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se konflikti mes tyre plasi pasi vëllai i të rrëmbyerit nuk arriti t’ia paguajë të dyshuarit shumën për të cilën janë marrë vesh.

Substanca narkotike, e llojit marihuanë, që ishte dërguar nga Cani në Preshevë, dyshohet se ishte e paraparë që të transportohet në kryeqytetin serb, Beograd.

Mospagesa për drogë pasoi me rrëmbimin e të miturit nga shtëpia e tij – fati i të cilit akoma nuk dihet.

Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme – duke përfshirë edhe bastisje, por i dyshuari ende s’është gjetur.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Gjilan.

“Ankuesja femër Shqiptare shtetase e Serbisë, ka raportuar në Stacionin Policor Gjilan se pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi, është rrëmbyer vëllai i saj i mitur, viktima mashkull shqiptar shtetas i Serbisë; nga i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë bastisjes tek prona e të dyshuarit është gjet dhje konfiskuar 2.41 gram marihuanë. Rasti është duke u hetuar.”

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës se prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d