Hajni që përfundoi në paraburgim për vjedhjen që e kreu në shtëpinë e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) në Prizren, kishte arritur që armën zyrtare ta shes te një person tjetër. Ky i fundit u dorëzua në Polici dhe përfundoi në ndalim policor, teksa brenda afatit ligjor është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u fut në telashe pasi bleu armën e zyrtarit të AKI-së nga hajni që e vodhi është Hajrullah Brcanin.
I dyshuari kryesor, Menderes Kadri, armën zyrtare që e kishte vjedhur bashkë me çantën e zyrtarit të AKI-së e ka shitur për 200 euro te i dyshuari tjetër.
Edhe ky i fundit ka dalë para Gjykatës, ku është mbajtur seanca dëgjimore, me ç’rast është aprovuar kërkesa e Prokurorisë për masën e paraburgimit.
Lajmin për Sinjalin e konfirmuar edhe zyrtari i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili njoftoi se ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi se ka kryer tri vepra penale.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08 mars 2024, ka marrë AKTVENDIM, është aprovuar kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit H.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: blerja, pranimi, ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale nga neni 333 par. 1, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 par. 1, dhe përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 par. 1 të KP-së.
Ndaj të pandehurit është caktuar MASA E PARABRUGIMIT, në kohëzgjatje prej një (1) muaji e cila mund të zgjasë deri më datë 06.04.2024.
Gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresave të lëndës dhe provave materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e bazuar.” – thuhet në përgjigjen e Lekajt.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, me lënien në liri të të dyshuarit ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të peshës së rëndë të veprave penale që i vihen në barrë, si dhe për faktin se që nga dita kur dyshohet se janë kryer veprat penale, ka qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë.
Ndaj tij, po ashtu rezultojnë tri aktgjykime për tri vepra penale.
“Gjithashtu, me rastin e caktimi të paraburgimit, Gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë parasysh se ndaj të pandehurit në evidencën penale, rezultojnë tre (3) aktgjykime të plotfuqishme për vepra penale, vjedhje e rëndë, lëndim trupor, vepra penale të narkotikëve, kjo dëshmon se me lënien në liri të të pandehurit në këtë fazë, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të ngjashme apo i kryerjes së veprave penale të tjera.”
Çka dihet për rastin?
Kujtojmë se Menderes Kadri, 33-vjeçar, u zbulua nga Policia në Prizren një ditë pasi kreu vjedhje në shtëpinë e zyrtarit të AKI-së, prej ku arriti të marrë një çantë, ku ishin të gjitha dokumentet personale të viktimës dhe arma e tij zyrtare.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se arrestimi i tij erdhi pas një aksioni që u zhvillua më 25 shkurt dhe u siguruan prova, ndër të tjera edhe pamjet nga kamerat e sigurisë që dëshmojnë përfshirjen e të dyshuarit në këtë rast.
Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Prizren ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë, nën dyshimet se ka kryer veprat penale “Vjedhja e rëndë dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve materieve plasëse”.
Lajmin e kanë bërë të ditur për Gazetën edhe nga Gjykata Themelore në Prizren dhe kanë njoftuar se ndaj Kadrit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, nëse i dyshuari lihet në liri, ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të peshës së rëndë të dy veprave penale, por edhe për shkak të evidencës penale të Kadrit, që rezulton me vepra si vjedhje e rendë, armë e kanosje.
“Gjithashtu, me rastin e caktimi të paraburgimit, Gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë parasysh se ndaj të pandehurit në evidencën penale, rezultojnë aktgjykime të plotfuqishme për vepra penale, vjedhje e rëndë, armëmbajtje pa leje, kanosje, andaj kjo dëshmo se me lënien në liri të të pandehurit në këtë fazë, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të ngjashme apo i kryerjes së veprave penale të tjera.” – thuhet në përgjigjen e Lekajt.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.