Ligji i ri për rregullat e trafikut, i cili ka për qëllim veçanërisht rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në trafik, parasheh edhe dënime më të ashpra. Kohët e fundit, jo rrallëherë, Policia është përballur me kanosje e madje edhe me sulme qoftë verbale apo fizike gjatë shqiptimit të gjobave ndaj shkelësve të këtyre rregullave.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku zyrtarët policorë të Trafikut janë kërcënuar nga një shofer.
I dyshuari i ka kanosur policët për shkak të një dënimi me gjobë që iu shqiptua pasi ra në radar si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se personi i dyshuar është Besnik Babqori, rreth 59-vjeçar, i cili përfundoi në pranga.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Kanosje”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.