Gazeta raportoi dje për një tjetër rast tronditës të dhunimit të një vajze të mitur nga Suhareka që dyshohet se ka ndodhur së fundmi. Viktima 13-vjeçare, e cila u raportua e zhdukur dhe u gjet pas dy ditësh dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga dy persona. Durak Daka, 21-vjeçar, është i arrestuari i parë, teksa Policia ka arritur që të identifikojë edhe të dyshuarin e dytë.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari i dytë është Planet Berisha [19-vjeçar] dhe i njëjti tashmë është arrestuar.
Berisha është shoqëruar në stacion policor për intervistim, por sipas informacioneve që posedon gazeta, ai ka refuzuar të deklarohet, duke shfrytëzuar të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.
Çka dihet për ngjarjen e trishtë?
Siç raportoi gazeta, edhe Policia e konfirmoi se rasti u zbulua pasi 13-vjeçarja nga Suhareka u denoncua e zhdukur nga familja e saj dhe Policia arriti ta gjejë atë në qytetin e Vushtrrisë. E mitura ishte raportuar e zhdukur më 16 mars dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj, deri më 18 mars, ku një njësi policore ra në gjurmët e saj.
Sipas informacioneve të para, vajza 13-vjeçare gjatë kësaj kohe ka qëndruar me dy persona, të cilët dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të. Daka dhe Berisha dyshohen se e kanë dhunuar vajzën në disa motele të ndryshme.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi vajza u gjet, është dërguar në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.
Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje për t’i kapur personat e dyshuar dhe si rezultat njëri prej tyre është arrestuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, i riu është dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme.
Prishtina Sot do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.