Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë të miturat, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, e shumë herë edhe të moshuar.
Një rast i tmerrshëm dyshohet të ketë ndodhur dje në rrugën ‘Isa Boletini’ në Vushtrri, ku një person ka sulmuar seksualisht një vajzë të moshës 11-vjeçare. Burimet e Gazetës kanë bërë me dije se e mitura është sulmuar seksualisht nga një person i moshës 61-vjeçare teksa ndodheshin në një market.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Bahri Bajrami që tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe po intervistohet.
Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari e ka prekur viktimën në gjoks, duke i shkaktuar shqetësim të madh dhe frikë.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se përveç sulmit seksual në market, 61-vjeçari edhe e ka ngacmuar viktimën përmes rrjeteve sociale, duke i dërguar mesazhe të ndryshme.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Sulm seksual’.