Ngacmimet, sulmet dhe dhuna seksuale ndaj vajzave dhe grave në Kosovë janë shndërruar në një fenomen shqetësues. Të dyshuarit shpeshherë janë persona të afërt me të cilët kanë qenë ose janë në lidhje dashurie. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në një hotel në Prishtinë, tashmë është arrestuar një person.
Gazeta raportoi ekskluzivisht se ngjarja e trishtë dyshohet të ketë ndodhur të hënën në orët e mbrëmjes në hotelin “Emerald”, ndërsa rasti është denoncuar dje.
Burimet e Gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një grua 45-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka raportuar se është keqtrajtuar seksualisht nga një person.
Ky i fundit, dyshohet se është Qëndrim Thaqi, 32-vjeçar i cili ndodhej bashkë me viktimën në njërën nga dhomat e hotelit.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, pa dëshirën e saj.
Si rezultat i denoncimit, Policia arriti ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast i dyshuari është identifikuar dhe arrestuar.
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të iniciohet rasti si “Dhunim në tentativë”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.