Një konflikt i para një viti i futi në sherr të enjten në mbrëmje tre vëllezër në Ferizaj, të cilët po dyshohen se i kanë rrahur dy persona, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore. Sulmi dyshohet se ndodhi në një lokal, ku të dyshuarit fillimisht kanë ikur – por që tashmë janë kapur nga Policia.
Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se tre personat e arrestuar janë vëllezërit Agim, Naim dhe Valon Kryeziu – të cilët ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Në bazë të informacioneve të para, incidenti ka ndodhur në kafeterinë ‘Melody’ ku fillimisht ndodhej i dyshuari Agim Kryeziu dhe dy viktimat, me të cilët ishte përfshirë në një rrahje para rreth një viti.
Për t’i qëruar hesapet, Kryeziu del nga lokali dhe i thërret vëllezërit e tij, e bashkë me ta kthehen në kafeteri dhe i sulmojnë fizikisht dy viktimat.
Rrahja dyshohet se ka eskaluar edhe në përdorimin e thikës, ku për pasojë njëri nga viktimat ka pësuar lëndime të rënda trupore, për çka është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për tretman mjekësor.
Lëndime ka pësuar edhe viktima tjetër, i cili është trajtuar në Spitalin e Ferizajt, thonë të njëjtat burime.
Të dyshuarit janë arrestuar e shoqëruar në stacion policor dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë urdhër për ndalim policor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.