Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundmi në Vitomiricë të Pejës, ku janë arrestuar tre persona.
Burimet e Gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tre të dyshuarit që përfunduan në pranga të Policisë janë Enis Duli, Argjend Berisha dhe Liridon Beqiri.
Dy të dyshuarit e parë fillimisht kanë pasur një konflikt verbal mes vete pas një mosmarrëveshje në trafik e më pas janë hedhur në sulm.
Siç merr vesh gazeta, në përleshje dyshohet se janë përdorur boks hekuri e një mjet i mprehtë, ku për pasojë kanë pësuar lëndime trupore.
Pasi Policia ka intervenuar, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, atyre u është caktuar masa e ndalimit policor dhe ndaj tyre është iniciuar hetimi.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.