Shqiptimi i gjobave për thyerjen e rregullave në trafik bëhen shpeshherë shkas që shoferët të revoltohen dhe t’i pengojnë zyrtarët policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave.
Për një rast të tillë që ka ndodhur në rrugën “Ukshin Kovaqica” në Vushtrri, Policia ka arrestuar dy persona, shoferin dhe pasagjerin e një veture. Gazeta mëson se dy të dyshuarit e kanë sulmuar Policinë pasi vetura u ndal për verifikim, për shkak se shoferi ishte duke përdorur telefonin gjatë vozitjes.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit që nuk përfillën urdhrat e zyrtarëve policorë janë Amir Zoni (rreth 21-vjeçar) dhe një familjar i tij, i moshës së mitur.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Mitrovicë.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit derisa ishin në veturë duke mos i respektuar urdhrat i kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës zyrtare, e kanë sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore për çka dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.” – ka njoftuar Policia.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.