Ekskluzive: Dyshohet se janë gjendur mostrat e zhdukura të Astrit Deharit

Mostrat e zhdukura të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë i ndjerë, Astrit Dehari, dyshohet se janë gjetur, raporton Gazeta Prishtina Sot.

Këtë e kanë bërë të ditur ekskluzivisht burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore. Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes tashmë ka dalë edhe Policia.

Lajmi për zhdukjen e mostrave të Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në IML ku po ruheshin tash e sa vjet, u dha në dhjetorin e vitit 2022 nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo pati deklaruar se në vendin ku ruheshin mostrat, kishin qasje vetëm tre persona.Akti i zhdukjes së mostrave të Deharit u raportua se është vërejtur gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj.

Sinjali kishte raportuar se ka informacione që mostrat e Deharit nuk janë zhdukur gjatë bartjes së mostrave pasi frigoriferët e rinj nuk kanë qenë të funksionalizuar në atë kohë dhe se ky proces ka ndodhur një muaj pasi janë kthyer në punë zyrtarët e IML-së të suspenduar pikërisht për këtë çështje.

Një gjë të tillë nuk e kanë konfirmuar nga Ministria e Drejtësisë, por as nuk e kanë mohuar, pasi Gazeta Sinjali ka kërkuar përgjigje edhe nga MD, por edhe nga IML-ja se cila është data e saktë kur janë futur në rrymë frigoriferët e rinj.

Në përgjigjen e MD-së thuhej se deklarata e Haxhiut e dhënë në konferencën e 8 dhjetorit lidhet me njoftimin që e ka marrë nga zyrtarët përgjegjës për këtë çështje dhe “nuk mund të deklarohen më tepër”.

Frigoriferët e rinj u futën në këtë mes si arsyetim, por për këtë çështja MD-ja ka refuzuar të japë detaje.

Lajmi u dha në dhjetor, mirëpo nuk dihej koha se kur mostrat ishin zhdukur  pa i parë askush dhe pa mbetur asnjë gjurmë e vetme si pistë hetimi. Kjo pasi që kontrolli i fundit në Laborator ishte bërë në tetor të vitit 2021.

E gjithë kjo dramë u përcoll me reagime të shumta, si dhe hetimet lidhur me rastin i nisi Prokuroria Speciale  e Republikës së Kosovës.

Në kuadër të masave ndëshkuese, MD pezulloi nga puna katër zyrtarët e institutit, Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Të njëjtit janë kthyer sërish në punë, me një vendim të Komisionit të Ankesave brenda IML-së.

Kujtojmë se Astrit Dehari vdiq në rrethana ende të dyshimta mbrëmjen e 5 nëntorit të vitti 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të 2016-s, me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës. Ai vdiq në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

Vdekja fillimisht ishte cilësuar si e dyshimtë, kurse Lëvizja Vetëvendosje që nga ajo kohë e deri më tani, thotë se kjo ishte përgjegjësi institucionale.

Gjithashtu, dyshime rreth vdekjes së Deharit ka pasur vazhdimisht edhe familja e tij.

Edhe pas këtyre viteve, vdekja e Astrit Deharit vazhdon të jetë një mister i pazgjidhur nga organet e drejtësisë në Kosovë, edhe pas ardhjes së LVV-së në pushtet, e cila ka bërë zhurmë goxha të madhe se do ta zbardhte këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d