Një aksion i madh i Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë rezultoi me arrestimin e dy personave të dyshuar për shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit nga Lipjani, Bashkim Salihut. Babë e bir kanë rënë në pranga, ndërsa cak i Policisë është edhe një person tjetër.
Sot Gazeta raportoi ekskluzivisht se dy të arrestuarit janë Skender dhe Albion Tasholli, babë e bir nga Lipjani dhe Ekrem Gashi, i arratisur, që njihet si “Hekri”.
Sipas të njëjtave burime, tre të dyshuarit u zbuluan përmes letrën që ka lënë i ndjeri, të cilën e shkroi pak para se ta kryente aktin e rëndë. Në atë letër përmenden emrat e tre të dyshuarve, por identiteti i dy prej tyre doli në dritë edhe përmes video incizimeve të marra nga biznesi i Salihut.
Ndryshe, në koordinim me Prokurorin e Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe me urdhër verbal të gjyqtarit, është bastisur mbrëmë edhe shtëpia e Gashit në Prishtinë.
Njësi të shumta policore kanë zbarkuar edhe në shtëpinë e familjes Tasholli në Gadime, ku janë sekuestruar disa dokumente, në cilësinë e provave materiale, thonë tutje të njëjtat burime.
Në bazë të informacioneve të para, arrestimi i të dyshuarve që janë cak i Policisë e Prokurorisë pritet të zbulojë detaje për vetëvrasjen e Salihut, i cili dyshohet se i dha fund jetës nga problemet me fajdexhinj.
Gazeta do të iu mbajë të informuar me detaje të reja.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.