Kompania turistike ‘Erona’ në Lipjan është futur në telashe si pasojë e dy punëtorëve. Një shofer i autobusit dhe një punëtor tjetër i mitur përfunduan në prangat e Policisë të shtunën pasdite, nën dyshimet se e sulmuan shoferin e një kompanie tjetër. Motivi lidhet me një konflikt në trafik dhe rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Siç merr vesh gazeta, incidenti ka ndodhur te rrethrrotullimi në Lakrishte në Prishtinë, ku dy të dyshuarit, punëtorë të kompanisë ‘Erona’ u kapën me shoferin e kompanisë turistike ‘Memi Reisen’.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se shoferi i autobusit të kompanisë ‘Erona’ bashkë me punëtorin e mitur, e kanë sulmuar fizikisht viktimën me grushte dhe me shufër metalike.
Pala e dyshuar, në bazë të informacioneve të para është futur në sherr me shoferin e kompanisë tjetër pasi fillimisht dyshohet se ia kanë zënë rrugën e më pas i kanë hyrë dajak viktimës.
Posa rasti është denoncuar, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri shufra metalike.
Të dyshuarit pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar hetimi.
Rasti gjatë ditës së djeshme është bërë i ditur edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar (njëri i mitur) pasi që të njëjtit dyshohet se pas një mosmarrëveshje në trafik, e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri shufra metalike. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”