Ekskluzive: Dorëzohet në Polici i dyshuari për dhënien e 80 mijë eurove ryshfet për leje ndërtimore

 

 

Drejtoria për Hetimit e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarit që ishte në kërkim për rastin ‘Brezovica 1’. I dyshuari tashmë ndodhet në ndalim policor dhe i njëjti po hetohet për dy vepra penale.

Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Liridon Domanekun, i cili sipas informacioneve të para është dorëzuar gjatë ditës së djeshme në Polici.

Domaneku – i cili ka qenë në kërkim policor, dyshohet se ka kryer dy vepra penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Ndaj tij, është urdhëruar masa e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor pritet të ushtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Kujtojmë se Domaneku përmendet në rastin e ish-kryetarit t Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, i cili akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë.

Aktakuza e ngritur në dhjetor 2022, e ngarkon Nikoliqin se përmes personit përgjegjës të ndërmarrjes “Quko Co”, ka arritur të përfitojë 210 mijë euro për 21 leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin “Stella Consulting”.

Ai po ashtu akuzohet se kishte përfituar para për dhënien e 12 lejeve ndërtimore, ku mes tjerash dyshohet se kishte marrë 80 mijë euro nga investitori Liridon Domaneku.

  • 200 mijë euro përfitim për lejen ndërtimore te objektit hotelier “Stella Consulting“, me person përgjegjës, Gentian Sulo,
  • 240 mijë euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Euro Sport“, Rijad Hasani,
  • 100 mijë euro për ndërtimin e objektit hotelier “Rimida“,
  • 100 mijë euro nga i pandehuri Blerim lmeri, për marrjen e 10 lejeve ndërtimore,
  • 80 mijë euro nga investitori Liridon Domaneku, për marrjen e lejes për ndërtimin e objektit banesor me 14 apartamente,
  • 30 mijë euro nga personi Husein Ajdini, për marrjen e lejes ndërtimore për objektin hotelier “Rock“,
  • 40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Sarova“,
  • 40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Kashtanjeva” për marrjen e lejes për gjashtë vikend-shtëpiza,
  • Një veturë e markës “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro,
  • 3 vikend-shtëpiza në vlerë rreth 300 mijë euro.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d