Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familjet kosovare. Ato përballen me dhunë fizike e psikike qoftë nga bashkëshortët, baballarët apo edhe anëtarët e tjerë të familjes. Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë po dyshohet se ka ndodhur të enjten në Fushë Kosovë.
Ajo që e bën këtë rast edhe më të trishtë është se viktima është një 33-vjeçare me nevoja të veçanta, ndërsa i dyshuar është babai i saj.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se mëngjesin e djeshëm, i dyshuari e ka dërguar të bijën në Qendrën për Punë Sociale, duke hequr dorë nga kujdesi ndaj saj.
Siç mëson gazeta, babai i dyshuar gjatë komunikimit që ka pasur me zyrtarët e strehimores ka thënë se ka vendosur që të mos përkujdeset për vajzën, duke iu thënë “merruni ju me të”.
Rasti është denoncuar në Polici dhe si rezultat i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin, ndërsa viktima është dërguar te familjarët e saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.