Grabitjet e vjedhjet nëpër shtëpi e banesa përveç që po sjellin humbje të mëdha, po shkaktojnë edhe pasiguri e ankth te qytetarët, që shpesh përballen me hajnat. Një rast i tillë dhe mjaft i tmerrshëm ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një shtëpi në fshatin Ratkovc të Rahovecit.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është raportuar në Polici nga pronari i shtëpisë i cili ka rrëfyer tmerrin që kanë përjetuar në orët e para të mëngjesit.
Sipas informacioneve të para, tre persona të maskuar dhe të armatosur, janë futur në shtëpinë e kësaj familje, ku arritën të grabisin mijëra euro dhe stoli ari.
Gazeta mëson se të dyshuarit fillimisht kanë sulmuar dy anëtarë të familjes, të cilët i kanë përgjakur duke ua marrë zinxhirët e arit nga fyti, e më pas kanë ‘avulluar’ edhe paratë, që dyshohet se i kapën rreth 7 mijë euro.
Posa është njoftuar Policia, njësitë përkatëse kanë intervenuar, me ç’rast viktimat janë dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Policia ka arritur të sekuestrojë disa prova, që lidhen me incidentin, ndërkohë që lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.
Me urdhër të tij është iniciuar hetim dhe është urdhëruar që të ndërmerren veprime për zbardhjen e të gjitha rrethanave.