Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas ambasadorit të Italisë në Serbi, Loka Gori, duhet të lidhet me përparimin thelbësor në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Italia ishte një nga vendet që ishte në favor të shtyrjes së pranimit të Kosovës. Ne besojmë se pranimi duhet të lidhet me përparimin thelbësor në formimin e Asociacionit, është një nga kushtet që duhet të plotësohet që kandidatura e Kosovës të jetë e suksesshme”, tha Gori në një intervistë për mediumin serb Politia.rs.
Ndryshe, arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca dhe Italia i bën Kosovës.
Këto tri shtete i kërkuan Kosovës hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, por Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, transmeton albanianpost.
Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.