Një ngjarje e rëndë është shënuar sot për familjen Rrustemi nga fshati Përlepnicë i Komunës së Gjilanit. Djali i tyre Lorenti, 28-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Siç mëson gazeta, viktima u vetaksidentua rëndë, me ç’rast nga plagët e rënda humbi jetën. Siç ka deklaruar Policia e Kosovë, vetaksidenti është shkaktuar pak pas mesnate në fshatin Miresh i Vogël në aksin rrugor Gjilan – Dheu i Bardhë.
Me viktimën në veturë ka qenë edhe një person tjetër, i cili si pasojë e lëndimeve është dërguar në spitalin rajonal të Gjilanit për tretman mjekësor.
“Si pasojë e këtij vetë aksidenti drejtuesi i automjetit me traga vendore i vitit të lindjes 1996 (mashkull kosovar shqiptar) nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku kujdestar, ndërsa pasagjeri i këtij automjeti është transferuar me autoambulancë në qendrën emergjente në spitalin rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor”, tha Policia.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit me urdhër të së cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë ligjore për obduksion, teksa rrethanat e rastit janë duke u hetuar nga hetues policor të aksidenteve të Trafikut rajonal në Gjilan.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe të afërmit e tij, të cilët bën të ditur se viktima ka lënë pas vetës gruan dhe djalin e tyre.