Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Këto raste shpesh eskalojnë dhe bëhen edhe më të rënda.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur dje në një familje në Lipjan, ku një grua kërkoi ndihmën e Policisë dhe e raportoi bashkëshortin e saj. Gazeta mëson se në dëshminë e saj, viktima ka rrëfyer se si u përball me dhunën e burrit në ditën që e varrosi motrën e saj dhe po përjetonte mërzi të madhe.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari fillimisht kishte kërkuar nga gruaja me të cilën ka rreth 15 vjet martesë që të largohej nga shtëpia bashkë me fëmijë e tyre.
Për të mos mbaruar me kaq, pas presionit dhe dhunës psikike, burri i dyshuar nuk e ka lejuar atë as ta vizitojë familjen për festën e Bajramit.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar, kurse viktima ka shkuar te familja e saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.