Jo më shumë se pesë muaj para se të shpallej per herë të tretë aktgjykimi ndaj Enver Sekiraqës, gjyqtari që e shpalli aktgjykimin dhe e liroi atë nga paraburgimi, ishte cak i një vjedhje të rëndë. Shtëpia e gjyqtarit Kuçi në lagjen Veternik të Prishtinës u plaçkit nga një hajn në dhjetor të vitit 2023.
Siç raportuan mediat, zyrtarët policorë kishin arritur që ta kapin të dyshuarin, i cili ishte shoqëruar në stacion policor për intervistim nga organet e hetuesisë.
Gjatë kontrollit, tek i dyshuari ishin gjetur disa mjete shpërthyese si shok-bomba, fishekë të armës, mjete të mprehta, por edhe dokumente zyrtare të cilat dyshohet se i kishte vjedhur në shtëpinë e gjyqtarit Kuçi.
Nuk dihet nëse rasti i vjedhjes së rëndë në shtpinë e tij, mund të ketë ndikuar në gjykimin e lëndës ndaj Sekiraqës.
Enver Sekiraqa, i cili më 3 maj 2024 u dënua nga shkalla e parë me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, do të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Kështu ka vendosur Gjykata e Apelit, Departamenti Special pas ankesës së Prokurorisë Speciale mbi vendimin e Themelores, e cila më 3 maj 2024 ia kishte ndërprerë që masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri
“Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN1.S.nr.91/2024, të datës 17.05.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020 të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurit E.S, i është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykimin e gjykatës themelore” thuhet në njoftimin e Apelit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ndërkaq, Enver Sekiraqa tash e dy ditë është në arrati.