E konfirmon Kurti: Ka pasur sulme kibernetike nga Federata Ruse

 

 

Kryeministri Albin Kurti tha se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka folur në emër të Qeverisë, kur tha të martën se Rusia është duke kryer sulm kibernetik kundër Kosovës “pas njoftimit tonë për ta mbështetur Ukrainën me pajisje ushtarake”.

“Çfarëdo që ka thënë zëvendësja ime, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla është edhe qëndrim i imi. Ajo ka folur edhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Kurti në një konferencë për media, pasi u pyet për këtë.

Ai tha se ka pasur “sulme kibernetike të cilat duket se vijnë së paku nga Federata Ruse”. Kurti tha se “synimi i tyre është lufta hibride”, e cila nëse do të kishte sukses, do të krijonte destabilitet.

“Është e vërtetë që disa web-faqe të institucioneve tona kanë rënë për një periudhë të caktuar. Ato janë rikthyer. Kanë qenë sulme kibernetike të cilat duket që vijnë së paku nga Federata Ruse, ndoshta edhe nga veglat e tjera që ata i kanë rrotull kontinentit tonë, por synimi i tyre është lufta hibride, e cila do të kishte për pasojë – po të ishte e suksesshme – destabilizimin e institucioneve tona të sigurisë, të stabilitetit dhe të mbarëvajtjes së punëve”, tha Kurti.

“Pra, Donika Gërvalla-Schwarz ka dhënë qëndrimin e saj në emër të Qeverisë që unë e udhëheq”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d