“E kemi kry për sonte”- plagosja në Gjakovë, avokatja e vëllezërve Stublla tregon për “sjelljet mafioze” të Shkelzen Ahmetit

 

 

Gjuajti në prezencë të 400-500 personave dhe ua shkrepi gjashtë plumba vëllezërve Stublla. Kështu të paktën po thotë Edona Sina, avokatja e dy vëllezërve ‘Stublla’ që kanë në pronësi lokalin ‘Republika’ në Gjakovë, e që u lënduan me armë zjarri nga Shkelzen Ahmeti.

“Mbrëmjen e datës 09.03.2024, të dëmtuarit janë plagosur në vendin e tyre të punës nga personi i quajtur Shkelzen Ahmeti, i cili ka shkrepur me armë 6 herë në drejtim të tyre, me ç’rast i ka shkaktuar 3 plagë Dritonit dhe 3 plagë Jonit. Po ashtu, nga shkrepja e armës ka pësuar lëndim edhe një klient tjetër i lokalit. Prokuroria e ka cilësuar rastin si vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, por kryesi ende ndodhet në arrati”, ka thënë avokatja Sina për Insajderin.

Sipas saj, vëllezërit Stuba nuk kishin ndonjë problem të mëparshëm me Ahmetin. Ndërsa, për këtë të fundit thotë se ky është rasti i 16-të i evidentuar kriminal që është kryer nga ana e tij.

“Të dëmtuarit kanë përvojë të gjatë në gastronomi dhe asnjëherë nuk kanë pasur probleme të tilla. I gjithë qyteti i njeh si djem punëtorë e mikpritës. Në anën tjetër, kryesi i kësaj vepre është emër i njohur për organet e rendit, ky është rasti i tij i 16-të i evidentuar. Kësaj radhe ndodhi plagosja, edhe sa raste tjera duhen te ndodhin për t’a arrestuar e gjykuar këtë person? Çka pritet prej tij me tutje kur për një teke të tij pati guximin të gjuajë me armë në një vend ku ishin prezent 400-500 persona, i rrethuar me kamera, ku kishte të pranishme edhe gra shtatzëna, ku njerëzit kishin dalë për tu kënaqur në mbremje muzikore por i njëjti i terrorizoi të gjithë, pa arsye, pa asnjë provokim nga askush”, vijon deklarimin ajo.

Tutje, ajo ka thënë se Ahmeti ka ardhur në lokal në ora 12 të natës e më pas është indinjuar pse iu është thënë se s’shërbehet pas orarit.

“Sqarojmë publikisht, se kryesi ka ardhur në lokal rreth orës 12 të natës dhe ka kërkuar tavolinë. Dritoni iu ka drejtuar me shumë mirësjellje (siç i drejtohet të gjithëve) duke i thënë “e kemi përfundu për sonte se policia na ka ndalur muzikën dy herë, andaj nuk shërbejmë më”. Pas kësaj, kryesi prap se prap qëndroi për disa minuta në lokal, më pas del nga lokali, shkon te vetura e tij, dhe kthehet përseri në lokal dhe hyn me vrull në drejtim të Dritonit dhe Jonit duke shkrepur armën disa herë në drejtim të tyre. Kjo do të thotë se nuk ka pasur fjalosje, raportet e tyre edhe më herët kanë qenë normale, madje vëllai tjetër i të dëmtuarve ka negociuar për të blerë banesë te kryesit (kryesi është pronar i firmës “Ahmeti-Construction” që merret me ndërtimin dhe shitjen e banesave). Vëllezerit Stublla e askush në qytet nuk habiten me sjelljen e tij, por habiten me sjelljen e tij kunddrejtë tyre”.

“Familja Stublla këtë rast i’a ka besuar në tërësi organeve të drejtësisë. Asnjë tentativë pajtimi jashtë gjykatës nuk do të konsiderohet nga ana e tyre, sepse përveç pasojave fizike e psikike, kryesi me këtë veprim ka cënuar imazhin e lokalit, që djemtë Stublla e kanë ndërtuar me djersë ndër vite. Njëherit ju njoftojmë se lokali “Republika” vazhdon të punojë si çdo herë, me mikpritje dhe respekt për të gjithë klientët”.

“Kërkojmë nga organet e rendit që të punojnë me profesionalizëm të lartë, pa asnjë ndikim, dhe shumë përkushtim që recidivistët e tillë të mos lihen asnjë ditë në liri. I bëjmë thirrje policisë që të përdor të gjitha kapacitetet për arrestimin e tij sa më të shpejtë, hetime efikase pa gabime, si dhe gjykim të drejtë, e mbi të gjitha të paanshëm”, përfundon ajo. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d