Pak orë më parë ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku mes një veture, motoçiklete dhe kamioni në hyrje të Mitrovicës, raporton Sinjali.
Gazeta mëson se motoçiklisti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes pas plagëve të marra dhe se viktima i takon moshës 30 vjeçare.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ku tha se motoçiklisti ka vdekur në vendngjarje, ndërsa një person i lënduar është dërguar për tretman në Spitalin e Mitrovicës.
“Rreth orës 16:40 është raportuar për një aksident trafiku me pasojë fataliteti i shkaktuar në dalje të Mitrovicës në rrugën nacionale Mitrovicë – Leposaviq. Në aksident janë përfshirë tri automjete një veturë, një kamionetë dhe një motoçikletë, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident ka humbur jetën motoçiklisti. Ndërsa lëndime ka pësuar edhe një person tjetër i cili po trajtohet ne Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendngjarje dhe po zhvillojnë hetimet për aksidentin”, tha Zahiti për Sinjalin.