Një person ka humbur jetën sot si pasojë e lëndimeve të rënda që kishte marrë një javë më parë në një aksident trafiku në fshatin Llaushë të Skenderajt. 49-vjeçari që ishte goditur nga një veturë, nuk ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.
Sinjali mëson se viktima është Bekim Geci.
Për vdekjen e tij kanë njoftuar edhe familjarët e të afërmit e tij, nëpërmjet postimeve në rrjete sociale.
Ndryshe, rastin tragjik e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Sot rreth orës 11:00, nga ShSKU-ja, është raportuar se viktima këmbësori 49-vjeçar, i aksidentuar më datë 27 dhjetor 2023 në fshatin Llaushë të Skenderajt, ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Zahiti.