I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Ndër të tjera, ai ka folur edhe për vendimin për Manastirin e Deçanit dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Escobar u shpreh se janë edhe dy kushte të tjera për t’u anëtarësuar.
“Shikoni, është shumë pozitive. Është shumë e rëndësishme. Dhe, nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin, megjithëse pjesërisht është, por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Dhe, kështu që duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë.
Pra, Kosova tani po tregon që ka pjekurinë për t’i pranuar rezultatet e një vendimi kushtetues, sado jopopullor të jetë. Por, është gjëja e duhur për t’u bërë sepse është gjëja ligjore që duhet bërë. Kështu që, do të ketë një efekt.
Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni.” – tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.