Dy kandidatët më të moshuar, çfarë pritet prej debatit presidencial Biden – Trump?

 

 

Dy kandidatët më të moshuar ndonjëherë në garën për zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, do të takohen ballë për ballë më 27 qershor, në një debat televiziv si asnjë tjetër.

Njëri akuzon rivalin e tij se përbën rrezik për demokracinë, tjetri e akuzon kundërshtarin se është i korruptuar.

Presidenti amerikan, Joe Biden, 81-vjeçar dhe ish-presidenti amerikan, Donald Turmp, 78-vjeçar, janë në garë të ngushtë, sipas sondazheve të opinionit publik, kur u kanë mbetur më pak se pesë muaj deri te zgjedhjet e 5 nëntorit.

Shumë votues janë të pavendosur dhe presin të shohin debatin që pritet të shikohet në shifra rekorde, më shumë për shkak të momenteve dramatike, sesa për shkak të diskutimeve të politikave të presidentit demokratik dhe konkurrentit të tij republikan.

Të dy kandidatët mund të përballen me pyetjet nëse janë të gatshëm fizikisht dhe në aspektin mendor, për të kryer detyrën e presidentit.

Trump pretendon se Biden nuk ka aftësi as fizike dhe as mendore për të kryer këtë mandat, derisa Biden e quan paraardhësin e tij, “të turbullt” dhe të rrezikshëm për normat demokratike.

Demokratët e përmendin shpesh rolin e Trumpit në sulmin ndaj Kongresit amerikan më 6 janar 2021, nga mbështetësit e tij, dhe përpjekjet tjera për të përmbysur rezultatin zgjedhor të vitit 2020, si dhe dënimin më 30 maj, kur një gjykatë e ka shpallur fajtor në 34 pika në rastin në të cilin Trump është akuzuar se e ka blerë heshtjen e një ylli të pornografisë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Gjendja mendore dhe fizike e Bidenit është tema kyçe që e ka përcjell atë këtë kohë dhe për të cilën është spekuluar në shumë fronte, teksa presidenti aktual kërkon një mandat të dytë.

Kritikët kanë thënë se ritmi i tij po ngadalësohet, duke marrë si shembull rrëzimet e tij të herëpashershme. Aleatët, në anën tjetër, pretendojnë se ai është në formën më të mirë.

Trump e ka tallur shpesh Bidenin nëpër marshet që ka organizuar, duke thënë se nuk është në gjendje të mbajë pozitën e presidentit.

Mosha e presidentit rrit dilemat edhe te shumë votues tjerë, përfshirë demokratët.

Trump nuk është përballur saktësisht me të njëjtat kritika, mirëpo ka habitur shumë përkrahës të tij, kur me raste i ka përzier emrat, apo kur e ka identifikuar gabimisht Bidenin me ish-presidentin amerikan, Barack Obama.

Biden, po ashtu, është njohur për disa deklarata në stilin e përrallave.

Në sallën e debatit nuk do të ketë audiencë. Kjo gjë mund të jetë problematike për të dy kandidatët, mirëpo sidomos për Trumpin, i cili merr zemër prej turmave që bërtasin, raporton REL.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d