Duke e pritur Raportin e Borell – çfarë po diskutohet në Bruksel për masat ndaj Kosovës

 

 

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ka informacione që Kryediplomati i BE’së Borell për heqjen e masave do të jetë pozitiv. Sipas tij, pas shtyrjes raporti do t’i dërgohet Komisionit Evropian këtë javë.  Opozita frikësohet se mund të ndodhë e kundërta. Deputetja e LDK’së Rrezarta Krasniqi tha se për shkak të “dinarit” dhe “Urës” ka frikë që Brukseli nuk do t’i heq masat. Por, çfarë po diskutojnë shtetet anëtare, kush është për heqjen e masave, kush kundër e kush po heziton. Express sjell detaje që i ka mësuar nga burimet.

Gati një vit më parë Brukseli e kishte konfirmuar se BE kishte vendosur disa masa ndaj Kosovës për shkak të mos marrjes së veprimeve për de-eskalim të situatës në Veri të Kosovës.

Vendi ishte ndëshkuar me pezullim të përkohshëm të punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, nuk do të ftohej në ngjarje të nivelit të lartë, vizitat dypalëshe do të pezulloheshin, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu njoftohej  se fondet për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 ishin vënë gjithashtu në pritje dhe se propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e ËBIF më 29-30 qershor”, ka thënë ky zëdhënës.

“Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti”, kishin thënë në qershorin e vitit të kaluar nga Brukseli.

Që prej asaj kohe, zyrtarë të lartë të Kosovës kanë theksuar se masat janë të padrejta dhe se duhet të hiqen menjëherë pasi është Serbia ajo që duhet të ndëshkohet. Javëve të fundit, diplomatët perëndimorë, ose më saktë Ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde ka deklaruar se së shpejti do të ketë zhbllokim.

Javën që shkoi Zëvendëskryemnistri Besnik Bislimi kishte deklaruar gjatë një raportimi në Komisionin për Integrime Evropiane thënë se ka informacione se Kryediplomati Josep Borell ka rekomanduar heqjen e masave, por opozitarët s’janë bindur.

Çfarë po diskutohet në Bruksel sipas burimeve të Gazetës Express?

Gazeta Express mëson se një takim i caktuar për datën 11 qershor në Bruksel ku do të diskutohej heqja ose jo e masave është anuluar disa ditë më herë. Sipas një burimi të besueshëm të Gazetës, brenda BE’së ka tre grupe më qëndrime për masat ndaj Kosovës.

Një grup është për heqjen e plotë të masave, një grup tjetër është për heqje graduale ( aty bën pjesë edhe Franca), edhe pse thuhet se ende nuk ka pajtueshmëri se çfarë nënkuptohet  saktë në këtë kontekst me termin gradual, dhe një grup i tretë që kërkon mbajtjen e masave.

“Ka vetëm 2 shtete që rregullisht kanë kërkuar heqjen e masave, ndërkaq shumë shtete tjera iu kanë bashkuar këtij grupi sidomos pas Banjskës”.

Por, sipas këtyre burimeve, për shkak të veprimeve të kohëpaskohshme të autoriteteve në Veri ky numër është zvogëluar

Merret vesh se Franca, Italia dhe Gjermania qysh nga muaji janar i kanë nisur angazhimet për heqjen e masave pas disa demarsheve që ia kanë dorëzuar Kosovës.

“Sidomos pas referendumit  të 23 prillit, këto tri shtete janë angazhuar edhe në nivelin më të lartë shtetëror”.

“Dhe sapo po i mbledhim një numër shtetesh për të marrë veprime konkrete, Kosova po ndërmerr veprime unilaterale dhe pastaj edhe ato shtete që po i bindim po zmbrapsen dhe nuk po na përkrahin më në qëllimin tonë për heqjen graduale të masave”

Ky burim i Gazetës Express thekson se aktualisht ka një situatë  me të vërtetë e komplikuar dhe se çdo veprim  në Veri e kthen Kosovën prapa.

Duke folur masat, Zëvendëskryeministri Bislimi javën e kaluar tha se raporti është dashur të dorëzohet të martën që shkoi për është shtyrë.

“Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, është shprehur Bislimi.

Zëvendëskryeministri, njëherit kryenegociatori për dialog me Serbinë, ka shtuar se masat e BE-së kanë ndikuar indirekt në imazhin e Kosovës dhe në integritetin e BE-së.

Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit për Integrim Evropian thotë se ka një mendim tjetër se a do të hiqen masat a jo.

“Unë shpresoj në atë që tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, mirëpo unë kam një mendim tjetër për arsye se duke ditur se çfarë ka ndodhur në pjesën veriore me dinarin dhe me Urën e Ibrit, unë e kam një frikë se nuk do të hiqen masat për arsye, sepse këta ende nuk po munden me u dakordua me aleatët tanë ndërkombëtar”, deklaroi ajo.

Informacionet e Bislimit për raport pozitiv kanë bërë jehonë edhe në Bruksel.

Zëdhënësi i BE’së Peter Stano i ka komentuar ato të hënën.

“Kjo është çështje institucionale mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë. Pra, natyrisht, nuk kemi nevojë që dikush nga jashtë të përpiqet të spekulojë për përmbajtjen dhe afatet kohore. Do të bëhet në atë kohë që është e përshtatshme për Përfaqësuesin e Lartë dhe shtetet anëtare” ka thënë ai.

“ Ndërsa përmbajtja e raportit do zbardhet fillimisht për shtetet anëtare fillimisht të cilët do e shohin dhe do diskutojnë mbi raportin, dhe më pas marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ketë ndodhur apo kur kjo do të ndodhë, atëherë ne, natyrisht do i njoftojmë homologët tanë në Kosovë, Pra nuk ka vend dhe nuk shohim asnjë arsye për spekulime publike dhe njoftime nga aktorë të ndryshëm”, ka shtuar Stano./Prishtina Sot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d