Drama e një shëndetësie që vret/ Si po ‘helmohen’ shqiptarët me ilaçe të dyshimta

 

 

Në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë autorizoi importin e dy barnave nga Turqia, që quheshin Apranax Plus dhe Codeine. Por medikamentet vinin nga një kompani e panjohur, e cila nuk ishte liçencuar për prodhimin e këtyre ilaçeve. Denoncimi mbërriti pikërisht nga një kompani turke që kishte liçencën për prodhimin e Apramaxit dhe Codeinës.

Në atë kohë importet e ilaçeve nga Turqia ishin më së shumti sporadike. Por në vitet që pasuan, Turqia u shndërrua në eksportuesin më të madh të ilaçeve në Shqipëri.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në periudhën 2018-2023, importet e ilaçeve nga Turqia u rritën me gati 2.5 herë në volum. Më saktësisht nga 490 tonë në 1200 tonë. Si rezultat, aktualisht gati 20 për qind e ilaçeve që importohen në Shqipëri vijnë nga Turqia.

Tashmë thuajse të gjitha kompanitë farmaceutike shqiptare kanë filluar të kthejnë sytë nga Turqia. Por loja e rëndë bëhet veçanërisht nga dy kompani, të cilat sjellin volumin më të madh të ilaçeve turke në tregun shqiptar. Njëra prej tyre e hetuar dhe dënuar më parë për mashtrim, ndërsa tjetra është aktualisht nën hetim nga SPAK.

Ndryshimet ligjore

Rritja e frikshme e importeve të barnave nga Turqia nuk është e rastësishme. Në vitin 2014, qeveria shqiptare ndryshoi ligjin e barnave duke i hapur rrugë importit të tyre edhe nga vendet jashtë Bashkimit Europian.

Sipas qeverisë, këto ndryshime do të ulnin kostot e mjekimit për pacientët shqiptarë duke u mundësuar atyre barna me çmime më të lira. Por kostot e ulëta sollën një efekt edhe më të rëndë. Daljen nga tregu të ilaçeve me cilësi të lartë dhe vërshimin e produkteve jo cilësore apo me keq akoma ilaçeve false nga vendet jashtë BE-së.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar disa herë alarmin për ilaçet e falsifikuara në Turqi dhe Indi, ku rasti më i fundit ishte ai barit defibrotide, që shitet nën brandin defitelio dhe përdoret për trajtimin e sëmundjeve të mëlçisë.

Ndërkohë një burim i tha Kapitali.al se aktualisht prokuroria po verifikon një rast ku dyshohet se në vend mund të jenë futur edhe kimiopreparate false në farmacitë e QSUT-së të importuara pikërisht nga Turqia.

Rasti, i cili po hetohet mund të shndërrohet në një nga skandalet më të mëdha në fushën e shëndetësisë në Shqipëri. Por deri më tani prokuroria nuk ka ende përfundimet zyrtare.

Korrupsion dhe kapje tregu

Tregu i barnave në Shqipëri është një moçal i madh, i ndërtuar kryesisht me kontributin e qeverisë dhe institucioneve që duhet ta mbikqyrin atë. Në vitet 2014-2015, qeveria shqiptare fiksoi çmimet e medikamenteve përmes një vendimi absurd, i cili nuk lejon përditësimin e tyre.

Kjo masë tashmë po godet mbrapsht. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se gjatë viteve të fundit nga tregu shqiptar kanë dalë mbi 473 barna të mirënjohura, që prodhohen nga kompani të certifikuara perëndimore për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.

Këto barna janë zëvendësuar me të tjera që vijnë nga Turqia dhe Azia, por që shpesh kanë dyshime të mëdha mbi cilësinë dhe autenticitetin e tyre. Madje kanë edhe abuzime të mëdha tek çmimet.

Shumica e ilaçeve importohen nga Turqia me çmime minimale, porn ë doganat shqiptare deklarohen me çmime njësoj si barnat perëndimore. Diferenca amortizohet përmes skontove në fatur ose notjave të kreditit, të cilat më vonë falen.

E gjitha është një skemë e madhe mashtrimi, lehtësisht e verifikueshme që në deklaratat doganore. Por kjo është një skemë, e cila bëhet e mundur përmes korrupsionit në sektorin shëndetësor.

Tashmë lista e barnave të rimbursueshme po mbushet gjithmonë e më shumë me barna turke dhe nga vendet e tjera të lindjes. Ato që blihen me çmime qesharake, por rimbursohen disa herë më shtrenjtë nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor.

Dhe ndërsa një grusht kompanish fitojnë miliona euro, të cilat i ndajnë me zyrtarët e korruptuar të Shëndetësisë,  shqiptarët po helmohen masivisht me ilaçe pa cilësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d