Dosja e Prokurorisë për vrasjen makabre në Gjilan: I dyshuari ka të kaluar kriminale – u mbrojt në heshtje

 

 

Krimi i rëndë që ndodhi natën e 16 dhjetorit në fshatin Dobërçan të Gjilanit, ku 29-vjeçari Armend Behluli u ther për vdekje me thikë, tronditi vendin. Për vrasjen makabre, që dyshohet se u krye në mënyrë dinake dhe me dashje, tashmë ndodhet në paraburgim Dibran Tahiti, 31-vjeçari. Masa e sigurisë u caktua të hënën, pas seancës dëgjimore, që u mbajt në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton Gazeta Prishtina Sot.

Gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Tahirit, ku thuhej se nëse i dyshuari lihet në liri do të arratiset dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej që i njëjti të sigurohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë.

Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Sinjali, thuhet se Dibran Tahiri, mund t’ ikte përgjegjësisë penale edhe për faktin që ka leje qëndrim në Gjermani, atje ku është i punësuar në një fabrikë në afërsi të Shtutgartit.

Ndër të tjera, Prokurori i Shtetit në kërkesën për paraburgim ka cekur se Tahiri ka edhe të kaluar kriminale.

Por një gjë të tillë e ka mohuar avokati i të dyshuarit, Shevqet Xhelili. Në një prononcim për Sinjalin, ai tha se Tahiri nuk ka të kaluar kriminale.

Teksa për motivin, Xhelili tha që akoma nuk dihet asgjë, pasi i dyshuari nuk është deklaruar në Polici dhe ka vendosur të mbrohet në heshtje.

 “Hic nuk dihet motivi i rastit se Dibran Tahiri është mbrojtur në heshtje dhe nuk kemi njohuri kurrgjë. Asgjë nuk dihet, ai nuk është deklaru në Polici për kurrgjë. Tash kur ta thirrë Prokurori, mundet me u deklaru. Sot unë do të ushtrojë ankesë kundër vendimit për caktimin e masës së paraburgimit.

Jo, nuk ka të kaluar kriminale. Ka të shkruar aty, por dëshmi nuk ka. Unë ankesën do ta bazoj në këtë drejtim, që s’ka të kaluar kriminale. As raste në Polici nuk ka, qysh më ka thonë ai. S’ka kurrgjë, veç fjalë çka po fliten e supozime.” – tha Xhelili për Sinjalin.

Çka thuhet në kërkesën për paraburgim?

Në arsyetimin e Prokurorit të Shtetit për këtë rast të rëndë, thuhet se Dibran Tahiri, në mënyrë dinake, me dashje, për motive akoma të panjohura e ka privuar nga jeta të ndjerin Armend Behluli, të cilët ishin bashkëfshatarë.

Gjithçka dyshohet se nisi me një telefonatë që pasoi me një takim në veturën e të dyshuarit, aty ku edhe gjeti vdekjen 29-vjeçari.

Tahiri dyshohet se e ka sulmuar Behlulin disa herë nëpër pjesë të ndryshme të trupit, teksa ndodheshin në makinë, derisa viktima ka arritur që ta largohet dhe të futet në oborrin e një shtëpie.

Por, i dyshuari e ndoqi dhe më pas e goditi sërish disa herë me thikë, plagë këto që nuk arriti t’iu bëjë ballë, përkundër intervenimeve në vendin e ngjarjes.

“Më datë 16.12.2023 rreth orës  20:35 minuta në rrugën Hamdi Kastrati në fshatin Dobërqan komuna e Gjilanit, i pandehuri Dibran Tahiri në mënyrë dinake, me dashje  për motive deri më tani të pa njohura, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Armend Behluli, po ashtu nga fshati Dobërqan, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri përmes telefonit e thërret Armendin i cili me automjet e markës Golf IV me targa të regjistrimit 06 pronë e babait të vet, vjen te rruga ku ishte duke e pritur  i pandehuri  Armend, i cili hyp në karrigen e parë të automjet dhe me automjet kishin lëvizur deri afër ordinancës private “Dr. Arsimi” aty pas një mosmarrëveshje verbale në automjet, i pandehuri e sulmon Armendin dhe të njëjtin në mënyrë dinake e godet disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa  viktima arrin të ndalet dhe del nga  automjeti  dhe ikë në drejtim të kundërt përpjetë rrugës nga kishin ardhë, hyn në oborrin e shtëpisë së Xh.B.

Ndërsa i pandehuri iu ishte vu pas në ndjekje dhe në terasë para derës së hyrjes së kësaj  shtëpie, e zen Armendin, aty përsëri e godet disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa nga kacafytja dhe zhurma e krijuar, nga kjo shtëpi del Xh.B, intervenon për të i ndarë, e kap për trupit të pandehurin Dibran dhe e largon nga vendi i ngjarjes, ndërsa të dëmtuarin e dërgon deri te një ordinancë private aty nga doktori i jepet ndihma e parë mjekësore dhe njëkohësisht mjeku  e thërret ndihmën e shpejtë, ndërsa për shkak të lëndimeve të pësuara, tani të ndjerin e hypin në një automjet tjetër deri te rruga e Përlepnicës, aty takohen dhe  Armendin e dorëzojnë  në automjetin e  ndihmës së shpejtë dhe të njëjtin e transportojnë deri në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan ku edhe konstatohet vdekja, sepse  i njëjti nuk kishte përballuar lëndimet e pësuara.”- thuhet në kërkesë.

Pas kryerjes së vrasjes, në dosjen e Prokurorisë thuhet se i dyshuari ka shkuar te shtëpia be vet, i ka njoftuar familjarët për krimin që ka kryer dhe më pas është dorëzuar në Polici nga prindi i tij, kue dhe është arrestuar dhe ndaluar.

Sipas kërkesës, Prokurori i Shtetit ka vlerësuar se “ka arsye për të besuar se i pandehuri po të gjendet në liri, do të asgjësoj, fshehë, ndryshoj ose të falsifikoj provat, do të ndikonte te dëshmitarët që të i ndryshojnë deklaratat e tyre të dhëna në Stacionin e policisë, apo të i zbusin deklaratat apo edhe të deklarojnë në favor të të pandehurit, dhe në këtë mënyrë do të ndikonte drejtpërdrejt në ndriçimin e gjendjes faktike dhe përgjegjësisë së tij para organeve të drejtësisë”.

Dibran Tahiri do të qëndrojë në paraburgim deri më 16 janar të vitit të ardhshëm.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d