Nipi i Besim Zeqirit – Kaça, i njohur si ‘bossi’ i kontrabandës nga Serbia për në Kosovë, për shumë vite me radhë është futur sërish në telashe me Policinë e Kosovës. Valdet Zeqiri, i cili po dyshohet se ka kërcënuar një zyrtar policor qëndroi në arrati për një periudhë të shkurtër, derisa u sigurua prezenca e tij. Ndaj të riut me të kaluar kriminale, dora e Prokurorisë ka qenë e butë, duke e lënë të lirë.
Siç merr vesh Sinjali, Zeqiri i cili po dyshohet për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar” është dorëzuar të hënën pasdite në Polici, ku është intervistuar nga hetuesit policorë, lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Por, me kaq e ‘përfundoi’, pasi Prokurori i Shtetit u tregua i butë, pasi vendosi të mos urdhërojë masën e ndalimit policor, por ta lirojë nipin e Kaçës.
Si dyshohet se ndodhi rasti?
Më 7 janar, në rrugën “Muhamet Gashi” në Mitrovicë, Valdet Zeqiri po dyshohet se e ka kërcënuar një zyrtar policor të Njësisë Speciale në Mitrovicë.
Zeqiri – i cili disa herë ka qenë i arrestuar për kontrabandë me mallra, dyshohet e ka penguar zyrtarin policor teksa po lëvizte me veturën e tij, e ka provokuar dhe më pas e ka kërcënuar. Gjithçka dyshohet se lidhet me rastet për të cilat i njëjti ishte prangosur në të kaluarën dhe në shenjë revolte, ka tentuar t’i qërojë hesapet me policin.
Rasti ishte denoncuar menjëherë nga zyrtari policor, i cili ka dhënë deklaratën e tij për incidentin, ndërkohë që është iniciuar hetim dhe është urdhëruar ndërmarrja e veprimeve të nevojshme.
Por pasi u sigurua prezenca e të dyshuarit, Prokurori i Shtetit vendosi që ta hetojë rasti në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.