Zyra e Prokurimit të Korporatës Energjetike të Kosovës mëtohet ta ketë shkelur ligjin në një tender rreth 400 mijë eurosh, kur e ka shpallur fituese një kompani në të cilën ka aksione edhe një shtetase kineze, shkruan Demokracia.com.
Në fillim të muajit tetor, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka hapur tender për “Furnizimi me shirita transportues gome-pelhure”. Ky furnizim, i cili është jetik për funksionimin e korporatës ishte paraparë që shiritat të cilët duhet t’i rezistojnë temperaturave deri në minus 30 ose plus 60, duhet të kenë validitet të gradacionit për 3 vite.
Në nëntor, KEK-u hapi ofertat dhe pa se kishin ofertuar 4 kompani. Fituese shpallet kompania, e cila kishte çmimin më të lirë “ECO CLEAN CORPORATION SH.P.K”, më çmim prej 387 mijë euro. Por, dyshimet e para janë se kompania nuk i përmbushi disa prej kritereve që vetë korporata i ka vendosur në dosjen e tenderit si kërkesa të domosdoshme.
Në këtë kompani që KEK-u e shpërbleu me kontratë, 20% të aksioneve i mban shtetasja kineze Wenyun Yang. Sipas të dhënave në Regjistrin e Bizneseve, ajo rezulton se që nga koha kur u themelua kjo kompani, në gusht 2019, ka investuar 80 mijë euro, derisa 320 mijë euro të tjera i ka investuar shtetasi kosovar Arbër Gashi, që mban 80% të aksioneve në këtë firmë, përcjell Demokracia.com.
Me vendimin e korporatës për ta rekomanduar për kontratë nuk u pajtua kompania “Ekoninvest”, duke konsideruar se operatori nuk i përmbushte një grumbull të kërkesave që vetë KEK-u i kërkonte.
Korporata ia ka refuzuar ankesën, ndërsa më pas i njëjti i është drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Mësohet se OSHP-ja menjëherë ka autorizuar dy zyrtarë të vet për të shoshitur provat, Florije Rexhepin si ekspertë shqyrtuese dhe Arben Lajqin si ekspert teknik.
Në një afat prej dhjetë ditësh, dy ekspertët kanë nxjerrë raportin të cilin e ka parë Demokracia.com, në të cilin kanë konstatuar shkelje të rënda nga ana e prokurimit të KEK-ut. Më këtë rast i kanë rekomanduar Panelit të këtij organi që procedurën e prokurimit të KEK-ut për dhënie të kontratës ta anulojë dhe tenderin ta kthejë edhe një herë në rivlerësim.
Çka gjetën ekspertët?
Prokurimi i KEK-ut ka vendosur një mori kërkesash që duhet të plotësohen nga ana e ofërtuesve. Tek kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale ka kërkuar 1.Çertifikata (Certifikimi i prodhuesit sipas ISO 9001 2015 – Quality Management System, ndërsa korporata ka shpërblyer me kontratë kompaninë, e cila ka dorëzuar certifikatë të prodhuesit BOADING HUAYUN CONVEYOR MACHINERY CO.LTD, që nuk mbulon prodhimet e produktit të cilin KEK e ka kërkuar, në këtë rast shiritat transportues. Në certifikatën e prezantuar shkruan: Production and sales of rollers,pulleys and supports for belt conveyor (except qualification).
“Në argumentimin e KEK-ut që ka gjetur në uebfaqen e prodhuesit të cilin kompania ankuese e konsideron si të papërgjegjshme, sepse prezanton një prodhues tjetër dhe merr si argument, pas një kërkimi në web faqen e prodhuesit del qe ky prodhues prodhon shirita transportues. Ku dëshmohet qe ky prodhues tek prodhimet kryesore ka edhe Conveyor Belt-shiritat transportues, i cili kërkohet në këtë rast, por sipas certifikatës së prezantuar nuk është i certifikuar për shirita transportues. Shiritat trasnportues prezantohen edhe në katalogun gjeneral të OE të propozuar për kontratë, por pa te dhëna teknike. Nga këto qe prezantuam më lartë arrijmë në përfundimin qe ky pretendim ankimore është i bazuar”, thuhet në raportin e ekspertizës.
Tek specifikimet teknike të detyrueshme, KEK-u ka kërkuar që të prezantohen edhe analizat për temetartura, +60 grade dhe -30 gradë për rezistencën e shiritave. Eksperti ka gjetur se KEK-u e ka mbyllur njërin sy tek kjo kërkesë që e ka futur vetë në dosjen e tenderit. “Tek ky pretendim në të cilin OE i rekomanduar për kontratë nuk prezenton temperaturën e kërkuar –30ºC deri +60ºC tek Aneksi 1-rast është: Eksperti teknik sqaron se pas analizimit të pozicionit 9.PARAMATERS OF CONVEYORS te prezantuar ne ofertën e OE te propozuar për kontratë në të cilën vërtetohen të dhënat teknike te materialeve te kërkuara nga prodhuesi ku është e vërtetuar edhe kjo temperaturë është e domosdoshme qe të figurojë edhe në katalog dhe jo vetëm në deklaratë. Në katalogun e prezantuar në ofertë figuron kjo temperaturë për shirita trasnportues, e cila nuk përputhet me atë të kërkuar në specikimet teknike. Nëse për KEK nuk është kriter i rëndësishëm atëherë duhet ose të largohet si kriter ose te specifikoj qe mund te mbulohet vetem me deklaratë nga prodhuesi pasiqë nuk mund te ketë kuptim kërkesa për katalog, i cili duhet ti ketë përshkrimet teknike detale të produkteve të ofruara tek Kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale neni 9.1 & 9.2, prandaj ky pretendim konsiderohet si i bazuar”, ka shkruar tutje eksperti shqyrtues në raportin e ekspertizës, përcjell Demokracia.com.
Tutje, KEK-u tek kërkesat e vendosura në dosje të tenderit ka kërkuara që fati i liferimit duhet të jetë në dy faza. Faza e parë në afatin Ekstrem Emergjent, 10 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës në sasinë L1500m B-1800mm dhe L-500m B-1600mm. Faza e dytë parasheh afatin e liferimit 30 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës për sasinë L-500m B-1800mm dhe L-500m B-1600mm. Eksperti shqyrtues/teknik, sqaron se pas analizimit të dokumentacionit, kompania nuk ka prezantuar deklaratë që e mbulon afatin e liferimit prej 10 ditë, sipas kërkesës së AK-së në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë.
“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues/teknik i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, është shkruar në fund të raportit.
Deri sa të mblidhet Paneli i OSHP-së për ta gjykuar përfundimisht këtë tender, KEK-u e ka bërë pezullimin e vendimit të vet për dhënie të kontratës. /PrishtinaSot//