Detaje të reja: Gjendet e braktisur në fshatin Sopi vetura e të dyshuarve për plagosjen në Suharekë

 

 

Gazeta raportoi sot për të shtënat me armë zjarri në fshatin Topliqan në Suharekë, ku disa persona po dyshohen se kanë gjuajtur në drejtim të lokalit me muzikë live ‘Engjulli’. Incidenti ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme dhe shtatë persona mbetën të lënduar – njëri prej të cilëve u qëllua me armë.

Personat që po dyshohet se kanë qenë në një veturë në parkingun e lokalit prej ku kanë gjuajtur me kallashnikov, tashmë janë identifikuar dhe Policia është vënë në ndjekje të tyre. Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për tre të rinj nga fshati Mushtisht, dy prej të cilëve janë Alton Asani (rreth 23-vjeçar) dhe Qlirim Sokoli (rreth 22-vjeçar).

Policia i ka futur në kërkim policor të dyshuarit, ndërsa ka arritur të lokalizojë veturën me të cilën kanë qenë të dyshuarit.

Burimet e Sinjalit thonë se automjeti është gjetur i braktisur në fshatin Sopi të Suharekës.

Ndryshe, në parkingun e lokalit, Policia ka gjetur 10 gëzhoja që dyshohet të jenë shkrepur nga arma automatike AK-47.

“Si pasoj e gjuejtjes me armë zjarri një person dyshohet se është goditur në këmbë, i cili është dërguar me urgjencë në qendrën emergjente në Prizeren, edhe gjashtë persona tjerë dyshohet të jenë lënduar nga gjësende të forta, dhe xhamat e thyer të dritareve të lokalit ku ishin duke qëndruar. Sipas raportit të mjekut personat e sjellur kanë lëndime të lehta trupore.

Rasti në bashkpunim të ngushtë me prokurorin e shtetit dhe Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizeren vazhdon te hetoeht deri në arrestimin e të dyshuarve dhe zbardhjen e rrethanave se si ka ardh deri te ky rast i rëndë.” -njoftoi sot Policia.

Shënim: Personat apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d