Një ngjarje e rëndë i ndodhi familjes Salihu nga Lipjani, mëngjesin e sotëm, kur morën lajmin për vdekjen tragjike të familjarit të tyre, Bashkimit, i cili u gjet pa shenja jete në Çagllavicë. 37-vjeçari dyshohet se i dha fund jetës së tij, si pasojë e presionit dhe gjendjes së rëndë emocionale.
Për rastin tashmë kanë nisur hetimet nga Policia dhe Prokuroria, që pritet të zbulojnë rrethanat dhe motivin që e shtyu viktimën drejt këtij akti. Burimet brenda Policisë kanë bërë me dije se motivi i këtij rasti dyshohet se lidhet me presionin që i ndjeri ka pasur nga një grup i fajdexhinjve me të cilët kishte probleme.
Sipas informacioneve të para, që pritet të konfirmohen dhe të dëshmohen gjatë procesit të hetimit, Bashkim Salihu ka qenë viktimë e një grupi kriminal që merren me fajde. Ndërmarrja e veprimeve për zbardhjen e rastit dhe identifikimit të personave që dyshohet se kanë gisht në një formë apo në një tjetër, tashmë ka nisur, thonë të njëjtat burime.
Vdekja e 37-vjeçarit po cilësohet si e dyshimtë, teksa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndryshe, Bashkimi ka lënë pas vetes bashkëshorten dhe dy fëmijë.
Gazeta do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.