Premtim Gashi është viktima e një përleshje masive mes dy grupeve në Prishtinë mbrëmjen e kaluar. I riu nuk mbijetoi plagët e marra nga konflikti mes “Capave” dhe Sekiraqëve.
I riu që mbeti i vrarë nuk është person i panjohur për autoritetet e Kosovës. Gashi ishte pjesë e grupit të njohur si “Capat” dhe me një ndikim të madh tek ta. Të dyja familjet kanë pasur probleme dhe në të shkuarën, ku janë përfshirë dhe përdorimi i armëve të zjarrit.
Pajtim Gashi, një anëtar tjetër i familjes së ‘Capave’, ishte plagosur në mars të këtij viti nga Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës. Sekiraqa akuzohet për tentim-vrasje për këtë rast.
Pamjet e këtij rasti, të cilat i kishte publikuar portali Sinjali, tregojnë sesi Sekiraqa e godet në kokë me kondakt të armës Pajtim Gashin dhe pastaj e gjuan me armë zjarri.
Ndërkaq, të shtënat që tronditën banorët e lagjes ‘Aktash’ të dielën ndodhën pak pas orës 22:00.
Paparaci ka raportuar se në përleshje janë përfshirë familjet Sekiraqa dhe Gashi, të njohur në kryeqytet si ‘Capat’.
Nga gjuajtjet me armë ka vdekur Premtim Gashi (i shënjuar me të kuqe lartë në fotografinë e ballinës), anëtar i familjes Gashi, ndërsa janë plagosur: Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Korab Gashi (i shënjuar me të kuqe poshtë në fotografinë e ballinës), Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi.