Të hënën në mbrëmje, një skenë si në filma është parë në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, ku disa persona po dyshohen se e kanë rrahur keq një të mitur. Viktima, përveç që u sulmua, edhe u grabit nga të dyshuarit, njëri prej të cilëve ka rënë në prangat e Policisë.
Siç merr vesh gazeta, rasti dyshohet se ka ndodhur pasi palët janë takuar dhe aty nisi konflikti verbal që eskaloi dhe për pasojë i mituri pësoi lëndime të rënda trupore.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është dërguar në këtë qendër për trajtim mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e asaj që ka ndodhur, me ç’rast është zbuluar se viktima edhe është grabitur nga të dyshuarit, të cilët ia morën gjësendet me vlerë.
Si rezultat, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë versionin e tij lidhur me mosmarrëveshjen mes tyre, që dyshohet se ka nisur për një telefon.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penale lidhur me rastin e cilësuar si “Grabitje”.